Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin Braktisja e shkollës: Përtej numrave të braktisjes së arsimit të obligueshëm në sistemin e Kosovës 2020-2023”.
Sipas këtij raporti, në mes viteve 2020-2023, mbi 400 nxënës kanë braktisur shkollën nga klasa I deri në klasën e IX-të, në të gjithë Kosovën. 43% e këtyre rasteve të braktisjes së shkollave nga klasa e parë deri në të nëntën është nga nxënësit ashkali, 43% nga nxënësit e komunitetit egjiptian, 13 % nga nxënësit e komunitetit rom dhe 1% nga nxënësit shqiptarë.
Raporti thekson se shumë faktorë kontribuojnë në braktisjen e shkollës siç janë kushtet e dobëta socio-ekonomike dhe diskriminimi i shpeshtë e intensifikojnë fenomenin.
Ndërsa thuhet se duhen përpjekje urgjente për ndalimin e fenomenit të braktisjes së hershme të shollës.
“Pa ndërhyrje aktive dhe sistematike, praktika e braktisjes së hershme të shkollës do të vazhdojë, duke e kufizuar perspektivën e të rinjve për punësim dhe duke kontribuar në një fuqi punëtore të pafavorizuar dhe të pakualifikuar. Përpjekjet urgjente dhe të bashkërenduara janë jetike për të thyer këtë cikël dhe për të promovuar një sistem arsimor më gjithëpërfshirës në Kosovë”- tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Raporti liston një numër rekomandimesh të bëra specifikisht për Ministrinë e Arsimit, për drejtorët komunalë të arsimit, shkollat dhe organizatat joqeveritare, duke nënvizuar nevojën për të punuar së bashku në përpjekjet e konsoliduara për t’i mbajtur fëmijët në shkollë.
/Kallxo.com/