Kusari: VV-ja po synon t’i zëvendësojë 200-300 punëtorë të RTK-së me njerëz të vet

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po synon që t’i largojë 200 deri në 300 punëtorë nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) e t’i zëvendësojë ata me njerëz të vet.

Kusari ka hedhur këto pretendime në mbledhjen që Bordi i RTK-së pritet ta mbajë sot [e mërkurë].

Sipas juristes së medias, VV-ja po përpiqet t’i largojë punëtorët me arsyetimin e mospunës. Por siç thotë ajo, kjo është krejt kamuflim.

Kusari ka thënë se nëse ka mospunë atëherë duhet të jetë Bordi i RTK-së ai që jep dorëheqje.

“Nuk bën me largu njerëz nga RTK. Nuk citen në rrugë njerëzit që ia kanë kushtu RTK-së 2-3 dekada të jetës së tyre. Bordi është trupi përgjegjës për reformë dhe nëse ata konsiderojnë që reforma ka dështuar duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Pa vonesë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Kusari ka rekomanduar që Bordi i RTK-së, “në vend të urdhrave politikë”, të fokusohet në sigurimin e 16 milionë eurove dhe t’ia sigurojë pronën RTK-së.