Si pritet të shkojë procesi i regjistrimit të popullsisë në veri?

Shumica e qytetarëve serbë nga veriu i vendit janë shprehur kundër pjesëmarrjes në procesin e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në Kosovë nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.

Ekipi i KosovaPress-it, ka provuar të bisedojë me qytetarët serbë rreth kësaj teme, por të pakët ishin ata që u përgjigjën, sepse pjesa dërmuese e tyre nuk pranuan të flasin publikisht, ndërsa prapa kamerës kanë shprehur mendime të ndryshme, si ‘Nuk dua të regjistrohem tek shqiptarët’, ‘Do të marrë pjesë në regjistrimin e organizuar nga Serbia’, ‘Nuk dua t’ia bëj qejfin Kurtit’ dhe të ngjashme.

Nenad Trifunoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se popullata e kësaj pjese ka mosbesim të madh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj dyshon se do të ketë fare regjistrim të popullsisë në veri.