BQK-ja largon tarifën për depozitimin e monedhave metalike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka njoftuar të hënën se Banka Qendrore e Kosovës ka larguar tarifën për depozitimin e monedhave metalike. 

BQK-ja ka sqaruar se tashmë bizneset nuk detyrohen të paguajnë këtë tarifë gjatë depozitimit të monedhave metalike.

“Ndërsa me kërkesë të BQK-së dhe me dakordim paraprak me Drejtuesit e Bankave Komerciale të njëjtën praktikë e kanë zbatuar të gjitha bankat komerciale në vend”, thuhet në njoftim. 

Më tej bëhet e ditur se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë edhe më parë ka kërkuar që kjo tarifë të largohet, pasi sipas saj, dëmton rëndë bizneset që operojnë me monedha metalike.

“Si shembull për ilustrim po sqarojmë se para ndryshimit të tarifës për depozitimin e monedhave metalike nga BQK, për dorëzimin e 10.000 EUR para metalike në bankat komerciale, biznesit i janë ndaluar 370 deri në 500 euro. Bizneset që janë afektuar më së tepërmi nga kjo tarifë ishin furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj., që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, andaj aplikimi i kësaj tarife ka shkaktuar një barrë të madhe për këto biznese”, thuhet në njoftim.