Miratohet Propozim Vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim afatgjatë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës – SHSKUK

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhjen e jashtëzakonshme të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, e ku morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtorë të drejtorive, përfaqësues nga OSBE-ja dhe media.

Pikën e parë të rendit të ditës “Propozim vendimi për shfuqizimin e Vendimit nr.prot.01-462/01-007934/19 për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim afatgjatë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Podujevës më datë 23.09.2019” e paraqiti drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Stublla, e ku me të hapur diskutimet nga kryesuesi i kuvendit, anëtarët e kuvendit nga radhët e LDK-së dhe PDK-së, paraqitën qëndrimet për kundërshtimin e kësaj pike, ndërsa pjesa tjetër e asamblistëve e mbështetën këtë pikë.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi diskutoi rreth problemeve që janë paraqitur viteve të fundit me mungesën e resurseve humane dhe kompletimin e stafit edhe në QKMF çka edhe e potencoi që ky propozim ka ardhur si pasojë e kësaj situate e cila është krijuar në nivel vendi dhe për të cilën jemi dëshmitar secili prej nesh, krytari Bulliqi gjithashtu përmendi ndërtimin e Poliklinikës Specialistike, ku do të ofrohet një numër i madh i shërbimeve, ku rrjedhimisht do t’iu lehtësohet marrja e shërbimeve qytetarëve llapjanë, pa pasur nevojë të marrin rrugën për QKUK.

Pas diskutimeve të ndryshme, përfaqësuesi i grupit të PDK-së, Bashkim Syla paraqiti një propozim për hudhjen poshtë të kësaj pike për t’i liruar vend pikës “Propozim Vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim afatgjatë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës –SHSKUK”, me arsyetimin se kjo barrë le të kalojë në nivelin qëndror.

Pas këtij propozimi anëtarët e kuvendit të komunës nga radhët e LDK-së liruan sallën, ndërsa pas një pauze anëtarët e të gjitha partive të cilët morën pjesë në mbledhje e votuan këtë propozim dhe si i tillë nuk kaloi.

Ndërsa pika e dytë “Propozim Vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim afatgjatë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës –SHSKUK”, u mirëprit nga anëtarët e kuvendit të komunës dhe si e tillë u miratua.