Të martën në Prishtinë u lansua kampanja “Ndrysho për Klimën”, organizuar nga USAID dhe programit për grante.
Në këtë kampanjë u tha se si shkak i ndryshimeve klimatike, deri në vitin 2050, 4. 2 për qind do të jetë rënia e GDP-së në Kosovë nëse nuk ndërmerren veprime.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se si shkak i thatësirave në Kosovë, ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë.
Aliu nënvizoi se që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave në Kosovë janë përballë me mungesë të ujitjes.
“Ndryshimet klimatike ka një kohë që janë prezente përmes ndikimeve në produktivitetin bujqësor, zjarret, ndryshime në furnizim me ujë, thatësira, vërshimet, emigracion. Përmbytjet dhe thatësirat janë shfaqur si sfida kompleksë për Kosovën. Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kosova ka përjetuar thatësira të shumta në dekadat e fundit. Që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave të Kosovës janë përballur mungesë të ujitjes për shkak të thatësirave. Sipas masterplanit të Kosovës për ujitje, aktualisht ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë”, tha Aliu.
Derisa, ushtruesi i detyrës së zëvendës drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, Alex Albertine tha se ndryshimet klimatike kanë ndikim në të gjithë kontinentin.
“Siç e dimë këto ndikojnë në secilin kontinent të planetit, pasojat janë të mëdha dhe e dimë që rreziqet janë të mëdha për të adresuar këtë, dhe duhet bashkëpunim për të zbutur efekte e ndryshimeve klimatike. Duhet të shtrojmë rrugën jo vetëm për të adresuar sfidat por edhe për të marr masat për ndryshimet. Ky regjion është i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm për të ndikuar në mjedis, por edhe në shëndet e ekonomi. Së bashku mund të bëjmë një Kosovë më të qëndrueshme”, ka thënë ai.