Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaqë paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.
Një qëndrim të tillë të PDK-së e kanë bërë të ditur deputetja Blerta Deliu në një konferencë për media. Ajo tha se “të gjeturat e këtij raporti faktojnë sesi tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë, nepotiste dhe abuzuese e kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes dhe asaj të medias”.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili, edhe këtë herë, sikur vitin e kaluar, është tejet i zymtë, tregon më shumë sesa realitetin tonë në Kosovë. Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”, theksoi Deliu Kodra.
Ajo po ashtu theksoi se viteve të fundit Kosova ka pësuar rënie në ranglistën për lirinë e medias si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti, të cilët, sipas saj, përveç kërcënimeve e fushatave shpifëse ndaj gazetarëve, kanë ndërmarrë edhe veprime konkrete për të mbyllur një medium nacional.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda tha se në raportin e DASH-it përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.
“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia ‘ndërhyrjet politike në drejtësi’. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë kjo të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, theksoi ai.
Gruda vuri në pah edhe problemet e shumta që ka Kosova me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, të cilat përmenden në raportin e DASH-it.