IKD: Projektligji për tekste shkollore nuk pati vota të mjaftueshme, procesi të kthehet në pikën zero

Përveç deputetëve e partive politike, tashmë edhe organizatat joqeveritare po kërkojnë që Projektligji për tekste shkollore të kthehet në pikën zero, për shkak të dyshimeve se nuk ka pasur kuorum në ditën që është votuar në Kuvend.

Në një prononcim për Dukagjinin, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se ky proces është monitoruar me precizitet dhe se del që votimi është i dyshimtë.

Sipas tij ky proces duhet të kthehet në pikën zero.

“Si institut i Kosovës për Drejtësi, këtë çështje e kemi monitoru me precizitet dhe kemi parë që votimi për këtë projektligj shihet që është i dyshimtë që ka marrë numrin e votave e mjaftueshme prej 61 sa duhet me marrë pjesë në procesin e votimit. Në këtë rast ky projektligj do duhej që të rikthehej në votim për lexim të parë, që të dihet përfundimisht se a do të kalojë në lexim të parë apo jo nga votimi që është bërë në atë seancë shihet që nuk janë votat e mjaftueshme për kalimin e këtij projektligji”, tha ai.

Jakaj u shpreh se kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe administrata duhet të japin përgjegjësi derisa theksoi se në situatën aktuale votimi  me mungesë transparence në Kuvend është i dëmshëm për demokracinë parlamentare, raporton Dukagjini.

“IKD konsideron se rezultati ne lidhje me këtë projektligj, kontestimin qe ua kanë bërë organizatat e shoqërisë civile përfshi edhe IKD është i dëmshëm për demokracinë parlamentare gjë për te cilën përgjegjës ne vija politike është  kryetari i Kuvendit dhe administrata. Kryetari i Kuvendit do duhej qe për shqetësime te tilla te deklarohet publikisht në seancë plenare dhe të dal me një raport të cilin ai duhet ta nënshkruaj, siç e ka nënshkruar projektligjin kur konstaton se votat janë marrë 62 vota të caktuara”, tha ai.