IKD ka gjetur se nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një deputet i IQLDM-së marrin pjesë vetëm në seancat plenare kur është kusht i domosdoshëm që të mos ju humbet mandati sipas Kushtetutës dhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Hulumtuesi nga IKD, Naim Jakaj, ka thënë se ka gjetur po ashtu se mungesa e pjesëmarrjes në punimet e Kuvendit të deputetëve nga komuniteti joshumicë serb ka shkaktuar pasoja në pamundësinë e miratimit të ligjeve me interes vital dhe të amendamentit kushtetues nr. 27, i cili do të inkorporonte Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës dhe të amendamenteve kushtetuese në lidhje me vetingun.
“IKD, gjen po ashtu se Lista Serbe nuk është konstituuar formalisht si grup parlamentar, ende nuk ka propozuar nënkryetarin e Kuvendit, ende nuk ka propozuar kryetarin e Komisionit për të Drejtat e Komuniteteve dhe për Kthim si njëri ndër komisionet parlamentare kushtetuese dhe komision i përhershëm, e për më tepër nuk ka propozuar as anëtarët e këtij komisioni dhe anëtarët e tjerë për komisionet e tjera të përhershme dhe funksionale”, tha Jakaj.
Tutje, ai ka thënë se IKD gjithashtu ka gjetur se nga të gjitha seancat e rregullta, Lista Serbe nuk është deklaruar as edhe njëherë te pika “deklaratat jashtë rendit të ditës” dhe në asnjë prej pikave të tjera gjatë vitit 2023.