Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.
Në të gjitha këto raste sipas raportit të Policisë viktima janë gratë.
Në katër raste të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, në dy të tjera janë dërguar në mbajtje ndërsa në një rast i dyshuari thuhet se nuk është hasur në vendin e ngjarjes.
Tri prej rasteve të raportuar kanë ndodhur në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit të palëve me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Edhe në rastin tjetër i dyshuari thuhet se është liruar në procedurë të rregullt. “Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar”, thuhet në raportin e Policisë.
Kurse në një rast tjetër një grua ka raportuar se nga i dyshuari ishte dëbuar nga shtëpia. “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se më datë 03.04.2024 i dyshuari mashkull e kishte dëbuar nga shtëpia e tyre. I dyshuari nuk është hasur ne lokacion, përderisa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Lipjan. “Viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se ka pasur dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në raportin e Policisë.
Kurse një tjetër rast ka ndodhur në Fushë-Kosovë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Një rast është raportuar në Viti, ku i dyshuari për ushtrim të dhunës është dërguar në mbajtje.
“Viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Në mbajtje është dërguar edhe një i dyshuar për ushtrim të dhunës në familje në një rast që thuhet se ka ndodhur në Pejë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje verbale dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima nuk ka dëshiruar të marrë tretman mjekësor dhe pas intervistimit është kthyer në shtëpinë e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar ne mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.