Gjykata Themelore e ka dënuar sot Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Pas vendimit të gjykatës ka folur babai i policit Triumf Rizës, Shefqeti, i cili tha se më nuk ka besim në drejtësi dhe se sipas tij, gjykimi ndaj Sekiraqës është më i gjati në historinë e gjykatave të Kosovës.
“Nuk po e kuptoj se si është e mundur që në shoqërinë tonë më të vlefshëm me qenë kriminelët sesa një polic që është në mbrojtje të ligjit e shtetit, një polic i cili është shpallur hero pikërisht për luftën kundër bandave kriminele”.
“Për herë të tretë po vjen duke iu zvogëluar dënimi. Nuk kam besim hiç më, sepse Gjykata e Apelit i ka krijuar të gjitha problemet, duke e kthyer për kurrgjë hiç, për gjoja çështje procedurale e për pallavra”, tha ai para mediave.
Riza më tej e cilësoi si të ulët dënimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi sipas tij, Sekiraqa është vrasësi kryesor i djalit të tij e jo të tjerët.
“Këto gjykata i kemi ne, s’kemi të tjera. Për këtë shtet kemi luftuar. Unë vazhdimisht i kam pranuar gjykatat tona, kurse krimineli s’i ka pranuar në fillim as këto gjykata”, tha ai.