I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar konfirmoi se do të largohet nga ky post gjatë muajit maj. Ai pranoi se ka kërkuar largimin para skadimit të mandatit.
Në bisedën e fundit me gazetarë në cilësinë e emisarit për rajon, Escobar parlajmëroi se Kosova mund edhe mos t’i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Sa i përket Këshillit të Evropës, siç e dini, Shtetet e Bashkuara nuk kanë votë aty. Por, unë e di që ka shqetësime në mesin e anëtarëve të caktuar, se Ascoacioni dhe disa kërkesa tjera që janë bërë vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit lidhur me Asociaconin dhe me pakicën serbe, nuk janë përmbushur. Dhe kjo është ajo që nxit disa nga shqetësimet se Kosova mund të mos ketë votat në Këshillin e Evropës. Tani është qëndrimi amerikan që Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të punojnë për këtë. Por ndërkohë, sa i përket rrugës evropiane, mendoj se është e rëndësishme që Kosova të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me ta, ndërsa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatantike”, ka theksuar Escobar.
Ai fajësoi, si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, për mungesë të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Escobar konsideron se kur këto dy marrëveshje të kthehen në binarë, atëherë i tërë rajoni do të jetë një vend më i mirë. Megjithatë, porositi se të dyja vendet kanë humbur shumë si pasojë e moszbatimit të këtyre marrëveshjeve.
“Ajo që do të përfitonte Kosova janë njohjet shtesë; Partneriteti për paqe, kandidatura në BE, dialogu strategjik bilateral me Shtetet e Bashkuara dhe një konferencë e donatorëve. Ajo që ishte në tryezë për Serbinë ishte gjithashtu një konferencë e donatorëve; zgjidhja më e shpejtë e çështjes së kapitullit 35, e cila do t’i lejonte Serbisë të mbyllte atë kapitull si dhe investime shtesë për të dy vendet”, ka shtuar Escobar.
Ai nuk tregoi se çfarë pozite do ta merr në të ardhmen dhe as kush do ta zëvendosjë atë në funksionin aktual. Premtoi, megjithatë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përkrahin fuqishëm dialogun e Brukselit.