Kërkesa për shtyerje të afatit të regjistrimit, Kastrati: Për këtë vendos qeveria, qytetarët është dashur të tregoheshin të vëmendshëm

Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill. Janë tri komuna të cilat kanë kërkuar që data e përfundimit të mos jetë 17 maji.

Komunat që kanë kërkuar kohë shtesë për regjistrimin e popullsisë janë Dragashi, Drenasi dhe Fushë- Kosova.

E në lidhje me këtë drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka thënë se  për afatin për regjistrim të popullsisë nuk vendosin ata, por Qeveria e Kosovës.

Ai në një prononcim nga teve1 ka thënë se qytetarët është dashur të tregoheshin më të vëmendshëm.

Tutje, ai tha se janë duke i shqyrtuar ankesat dhe do të dalin me një njoftim.

“Nuk e di, nuk vendoset nga ne, por nga Qeveria. Jemi në një takim në ASK-së që po e mbajmë me zyrtarë tanë, nuk jemi me qeverinë. E kemi bërë gjashtë javë nga dy javë që ka qenë, qytetarët e kanë obligim me qenë të vëmendshëm…Regjistrohen ata, e kanë për detyrë, me u regjistru”, ka thënë ai.

Ndryshe, rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Këtu nuk përfshihen informacionet mbi përkatësinë etnike dhe fetare, të cilat nuk janë të detyrueshme.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.