Në mesjavë do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës, ku përballë do të jenë Prishtina dhe Ballkani në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Prishtina siguroi finalen pasi eliminoi Dritën në gjysmëfinale, ndërsa Ballkani ishte më i mirë se rivali lokal Suhareka.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku madje do të dihet edhe klubi i katërt që do të luajë në garat evropiane.
Ballkani tashmë me sigurimin e titullit të kampionit ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, ku do të luajë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, shkruan Telegrafi.
Garat evropiane i kanë siguruar edhe Llapi dhe Drita, por se ku dhe si do të luajnë do të dihet pasi të mbyllet finalja e Kupës së Kosovës.
Pse Kupa e Kosovës shikohet me interesim edhe nga Llapi, Drita dhe Malisheva?
Nëse Prishtina e fiton Kupën e Kosovës për të dytin vit me radhë, atëherë sezonin e ardhshëm do të garojë në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Kjo do të thotë se kampioni i Superligës së Kosovës dhe fituesi i Kupës së Kosovës do t’i kenë dy mundësi në Evropë.
Fituesi i Superligës nëse eliminohet në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve, shkon në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, gjë që ndodh edhe me fituesin e Kupës së Kosovës shkruan Telegrafi.Llapi, Drita dhe Malisheva fërkojnë duart që Ballkani të fitojë Kupën e Kosovës, pasi do të thoshte qindra mijëra euro më shumë për to nga garat evropiane.