Pasi siguroi medaljen e bronztë botërore, Laura Fazliu u ndal për një moment. Emocionet e kapluan, sytë iu mbushën me lot. E përjetoi momentin dhe më pas vrapoi drejt Majlinda Kelmendit, trajneres së saj në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Abu Dabi. U përqafua fort me Majlindën, ndërsa lotët nuk i largoheshin nga sytë.
Kishte arsye të shumta për festën emocionale. Vendi i tretë në botë është suksesi më i madh në karrierën e deritashme të Laurës. Është shpagim për sakrificën e jashtëzakonshme. Ajo në moshë shumë të re u nda nga familja për të ushtruar nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka. Dhe po ashtu medalja botërore erdhi në kthimin nga lëndimi muskulor që ia rrezikoi planet për përgatitje për Olimpiadë.
“Kisha emocione pasi e fitova medaljen botërore. Medalja erdhi në kohën më të mirë, kur më së shumti kisha nevojë. Fillimi i vitit nuk ishte i mirë për mua. Disa gara, tri-katër, nuk kanë shkuar mirë. Në garën e kaluar edhe e pësova një lëndim. Jam shqetësuar shumë pas atij lëndimi, por për fat rikuperimi shkoi si duhet. Dhe tani erdhi medalja botërore, që më ka emocionuar dhe më ka motivuar shumë”, ka thënë Laura Fazliu në një intervistë për KOHËN.
Ajo është prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Këtë e dëshmoi në Botëror duke mposhtur bartësen e parë dhe bartësen e dytë për të fituar medaljen e bronztë.
23-vjeçarja ishte lënduar në Grand Slamin e Tbilisit më 22 mars. U kthye të martën në Botëror dhe shkëlqeu në katër prej pesë luftërave që i kishte. Ka dhënë sinjalet se është gati për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Trajneri Driton Kuka, që nuk ishte së bashku me ekipin në Abu Dabi, është ndarë shumë i kënaqur dhe po ashtu shumë i emocionuar për suksesin e Laurës.
“Është më e mira në botë. Edhe pak gjëra dhe këtë do ta vërtetojë”, thotë Kuka.
Laura vazhdimisht shpreh falënderime për punën e Kukës dhe Majlinda Kelmendit me të. Ajo ka fituar medalje në ngjarjet më të mëdha të xhudos. Tani e ka edhe medaljen botërore. Në radhë është medalja olimpike.