Një person është arrestuar pas plagosjes së trefishtë në Pejë, ndërkaq kryesi i veprës është në kërkim nga Policia.
Rastin e ka konfirmuar për Kohën, prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli. I arrestuari është kapur për veprën “Dhënia e ndihmës për kryesin, pas kryerjes së veprës penale”. Qavolli ka thënë se kryesi i veprës është duke u kërkuar nga organet kompetente.
Mëngjesin e së enjtes Policia e Kosovës ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim për kapjen e të dyshuarit për plagosjet e mbrëmjes së të mërkurës në Pejë.
Policia ka publikuar të dhënat e të dyshuarit teksa u ka kërkuar qytetarëve që kushdo që ka informacion të paraqitet.
“Personi i kërkuar është: Agron (Mentor) GASHI i lindur me 19.11.2002 nё Pejë. I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: ‘Vrasje e rёndё nё tentativё’ e cila ka ndodhur me datё 22.05.2024 rreth orёs 21:25, nё rrugën Bekim Berisha, nё Pejё, i dyshuari ёshtё recidivist i veprave penale”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka thënë se të plagosurit të mërkurën fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim, e më pas janë transportuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Një prej tyre është në gjendje më të rëndë.
Sipas tij, organet e rendit janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rrethanat e rastit.