Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit tonë në këtë organizatë.
Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit, të cilët janë shprehur optimistë se epilogu do të jetë pozitivë. Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Sofje.
Ndërsa delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar.
Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asociuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.