Karrierës së mahnitshme, Toni Kroos i jep fund në mënyrën më të mirë të mundshme. Mesfushori gjerman u fut në librat e historisë duke fituar Ligën e Kampionëve për herë të gjashtë.
Kroos luajti rol vendimtar në fitoren 2:0 të Real Madridit ndaj Borussia Dortmundit në “Wembley”, të shtunën mbrëma. Mesfushori i jashtëzakonshëm, së bashku me Dani Carvajalin, Nachon dhe Luka Modriqin iu bashkuan legjendës së Madridit, Paco Gento si lojtarët më të dekoruar në histori të Kupave Evropiane me nga gjashtë trofe të fituar.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë se dyert mbesin të hapura nëse 34-vjeçari Kroos ndryshon mendje. Muajin e kaluar mesfushori njoftoi se do të tërhiqet nga futbolli pasi ta përfaqësojë Gjermaninë në Euro 2024.
Kroos, i njohur si lojtar që përmbahej, pati një shpërthim të rrallë emocional, duke treguar stemën e klubit, kur u zëvendësua nga Luka Modriqi pak minuta para fundit të ndeshjes.
“Ai përfundoi në majë. Nuk është e mundur të largohesh në mënyrë më të mirë”, ka thënë Ancelotti.
“Ai është legjendë e klubit dhe qartë që të gjithë ne e falënderojmë për atë që ka bërë. Jo vetëm për lojën e tij, por për qasjen, profesionalizmin. Ai nuk mungoi asnjë ditë në këto dhjetë vjet. Shpresojmë që të ndryshojë mendje. Ne jemi këtu nëse e bën këtë”, ka shtuar trajneri i Real Madridit.
Ecuria e Kroosit në Ligën e Kampionëve përfundoi aty ky filloi, duke mposhtur Dortmundin në “Wembley”.
Ai ishte anëtar i Bayernit kur gjiganti bavarez fitoi garën kontinentale në vitin 2013. Një lëndim e pengoi që të paraqitej në atë finale.
Menjëherë pasi ndihmoi Gjermaninë që të fitoi Kupën e Botës në Brazil, Kroos iu bashku Madridit në vitin 2014. U bë pjesë e gjeneratës që shënoi epokën e dytë të dominimit evropian të Madridit.
Legjenda Gento ishte pjesë e skuadrës madrilene që fitoi pesë kupat e para evropiane. Tani Reali ka gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve në 11 edicionet e fundit. Kroos luajti në pesë prej këtyre triumfeve.
“Do të më mungoj kjo”, tha Kroos pas finales. “Natyrisht që doja të thosha lamtumirë me këtë fitore në Ligën e Kampionëve. Titulli do të thotë shumë për mua”, ka shtuar legjenda gjermane.
Si zakonisht, ai ishte prej kryesorëve që mundësoi kthimin e Madridit në lojë, pas dominimit të plotë të Dortmundit në pjesën e parë. Karim Adeyem dhe Niclas Fuellkrug lëshuan raste të arta për Dortmundin.
“Pjesa e parë nuk ishte e mirë për ne”, vazhdoi Kroos. “Pastaj u futëm në lojë më mirë dhe shënuam golin. Ne ishim plotësisht në lojë dhe ekipi më i mirë. Por u desh të kalonte shumë kohë para se të ndodhte kjo”.
Ai kompletoi më së shumti pasime dhe kishte më së shumti prekje të topit nga të gjithë në fushën në “Wembley”.
Kroosi bëri një goditje të rrezikshme, por Gregor Kobel ia mohoi golin në ndeshjen e fundit me Madridin. Por dha asistimin për Carvajalin që shënoi golin e parë. Vinicius Jr shënoi golin tjetër dhe kjo i mundësoi Kroosit të largohet nga fusha pa përfunduar ndeshja. U largua mes thirrjeve të vazhdueshme nga mijëra tifozë të Madridit.
Më shumë lavdi mund të ketë për Kroosin në Euro 2024 që mbahet pikërisht në Gjermani.
Ai ishte tërhequr nga përfaqësuesja pas Euro 2020. Por iu përgjigj pozitivisht ftesës së selektorit
Julian Nagelsmann për të ndihmuar përfaqësuesen gjermane në Evropianin 2024.
Kroos tashmë ka përmbushur ambicien e tij për t’u larguar derisa ishte në nivelin më të lartë të futbollit. Si fitues i Championsit dhe si rekordmen.