Në Ditën Botërore të Mjedisit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë thirrje që të ruhet ambienti pasi siç tha ajo “natyra është një dhuratë nga e cila ne varemi”.
Osmani përmes një video-mesazhi në të cilën paraqitet natyra e Kosovës ka thënë se ruajtja e mjedisit është një sfidë e madhe.
“Dhe kur ne e ushqejme atë, ajo na ushqen në këmbim. Sfidat me të cilat përballemi të gjithë në ruajtjen e mjedisit tonë janë të mëdha, por rreziku është edhe më i madh. Ne duhet të veprojmë tani për ta mbrojtur planetin që ne të gjithë e quajmë shtëpi. Kjo përgjegjësi bie mbi të gjithë ne, individualisht dhe kolektivisht. Ne të gjithë kemi përgjegjësi për t’i mbrojtur burimet natyrore që mundësojnë jetën dhe për t’u siguruar që ato të mbeten të qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, Dita Botërore Mjedisit është caktuar 45 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.