Angazhimi i ekspertëve për hetim në MPJD, përplasë pozitën e opozitën

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së ka mbajtur mbledhje e radhës ku është diskutuar rreth angazhimit të ekspertëve.

Deputetët nga pozita e opozita nuk u dakorduan rreth numrit të ekspertëve të angazhuar lidhur me hetimin ndaj zyrtarëve të MPJD-së.

“Unë kam kërkuar dhe kemi buxhet për tre ekspert. Kërkoj që një ekspert të jetë nga pozita dhe një propozim nga opozita”, tha kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj.

“Mendoj që duhet tri propozime”, shtoi deputetja nga LVV, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

“Duhet tre ekspert të angazhohen. Nëse  duam ekspert të pavarur, duhet konkurs në Kuvend. Nëse propozojmë nga partitë, atëherë ka një lidhje me atë parti”, u përgjigj deputetja nga PDK, Ariana Musliu-Shoshi.

“Me pengon mendësia e deputetes së po mendon që kur angazhohen nga partitë, nuk janë të pavarur”, u kundërpërgjigj deputetja Fitore Pacolli.

Edhe pse pozitë dhe opozitë nuk gjetën pajtueshmëri, me shumicë votash Komisioni votoi për angazhimin e tre ekspertëve në hetimin në lidhje me punësimet në MPJD.