Ermal Krasniqi do të jetë pjesë e Sparta Pragës nga sezoni i ri, ka raportuar të enjten “Sport.ro”. Sparta u shpall kampion këtë sezon në Çeki, pjesë e së cilës është edhe mesfushori i Shqipërisë, Qazim Laçi.
Krasniqi do të largohet pas vetëm gjysmësezoni me Rapid Bukureshtin, që do të përfitojë 2 milionë euro nga shitja e 25-vjeçarit.
Rapidi e bleu anësorin e Kosovës gjatë janarit të këtij viti për 1 milion euro nga Cluji. Për vetëm gjashtë muaj, Rapidi do të përfitojë dyfishin e kësaj shume.
Madje, edhe 300 mijë euro të tjera janë në formë e bonuseve. Rapidi gjithashtu do të mbajë përqindje në shitjen e ardhshme të Krasniqit.
Krasniqi luajti 34 ndeshje me Rapidin e Clujin sezonin e kaluar, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar pesë herë.
Ai ishte shitur te Cluji në janar të vitit 2023 nga Ballkani për rreth 400 mijë euro.
Rapidi gjithashtu pritet ta bëjë shitjen më të shtrenjtë në histori, pasi do ta pranojë ofertën prej 6 milionë eurove të Rangersit për sulmuesin Albion Rrahmani.