Konjufca: BE-ja nuk ka kompetenca të paraqesë draft-statut për Asociacionin

(E përditësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të enjten pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) po do me zor që t’ia marrë kompetencat Kosovës, për hartimin e draft-statutit për Asociacionin.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një temë shumë e përfolur në  Kosovë dhe kjo nuk mund të merr epilog për shkak të mënyrës se si është shkruar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Unë e kam shprehur mendimin tim publik tashmë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe se drafti që është dorëzuar nga ana e Bashkimit Evropian ka një parregullsi sepse kjo nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian. Nëse Bashkimi Evropian nuk e modifikon këtë qëndrim atëherë i bie që do t’ia marrë me zor një kompetencë shtetit të Kosovës. Kjo mendoj që është e pamundur në relacionet tona që i kemi me Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se janë të gatshëm të diskutojnë me BE-në se kur duhet të jetë gati drafti i Asociacionit, por që hartimi i tij të bëhet nga autoritetet e Kosovës.

Konjufca ka folur edhe për marrëdhëniet në mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. Ai ka thënë se në raportet e tyre nuk ka asgjë dramatike.

“Relacionet janë të mira nuk ka asgjë dramatike. Kryeministri dhe presidentja i dhanë qëndrimet e tyre. Pajtohem me presidenten se qëndrimet e ndryshme nuk mund të quhen luftë politike. Mund të ketë dallime këto janë të natyrshme dhekështu ndodhë në çdo vend të botës. Ne kur dalim dhe i formulojmë qëndrimet, para bashkësisë ndërkombëtare dalim më qëndrime të përbashkëta”, ka deklaruar Konjufca.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur rreth audio-incizimit ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të Kusari-Lilës.

Konjufca është shprehur i çuditur se si edhe pas nëntë muajve nga sulmi në Banjskë, nuk ka ende asnjë veprim nga drejtësia e vendit.

“Vepra e Radoiçiqit mos harroni, është shumë e rëndë. Ai e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.Radoiçiqka humbur gjithçka çka ka në Kosovë për shkak të vendosmërisë së Qeverisë për shkatrrimin e strukturave paralele ”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit ka folur edhe për arrestimin dy personave në Ferizaj, nën dyshimin për spiunazh.

“E përgëzoj AKI për punën e tyre të shkëlqyer, jam i bindur që ka edhe shumë raste të tjera të ngjashme”, tha ai.

Konjufca theksoi i se qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Kosovës dhe krijimi i agjentëve të brendshëm nga radhët e shqiptarëve.

“Qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Kosovës dhe krijimi i agjentëve të brendshëm në Kosovë nga radhët e shqiptarëve që me vazhdua sfidimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e strukturave tona institucionale”,  potencoi Konjufca.

Në mbledhjen e sotme nuk ka pasur kuorum, megjithatë për seancën e adresimit të ish kryeministrit britanik, Tony Blair, u vendos10 qershori.