Një situatë e paprecedent është parë sot në Gjykatën Speciale, aty ku përfundoi dëshminë gazetari i kohës së luftës, Nuhi Bytyçi.
Ky i fundit, në përfundim të dëshmisë së tij deshi të jepte edhe një opinion në lidhje me marrjen në pyetje të tij, duke kërkuar libri i tij të mos ketë ndikim në verdiktin ndaj krerëve të UÇK-së.
“Iu përgjigja edhe pyetjeve të prokurorisë, tuajave dhe të mbrojtjes. Desha t’ju falënderoja që ma dhatë mundësinë që para kësaj gjykate të respektuar dhe para opinionit të paraqes dëshminë time për punën time si gazetar gjatë periudhës së luftës, e cila konsideroj se ka qenë një ndër periudhat më të rëndësishme të punës sime profesionale. Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate..”, tha fillimisht gazetari Bytyçi.
Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të kryegjyqtarit, Charles Smith, i cili i kërkoi Bytyçit të dalë nga salla, por që ai refuzoi thirrjen e tij.
Në një moment, kryegjyqtari Smith e kërcënoi Bytyçin se do ta thërriste sigurimin nëse ai nuk do të dilte në ato momente.
Pjesë nga biseda dhe videoja e asaj që ndodhi:
Gjykatësi: Mund të largoheni nga salla e gjyqit, faleminderit shumë që ishit me ne, gjithë të mirat.
Nuhi Bytyqi: U përgjigja edhe në pyetjet e prokurorisë, edhe në të tuajat edhe të mbrojtjes. Desha t’u falënderoj që ma dhatë mundësinë që para kësaj gjykate të respektuar dhe para opinionit të paraqes dëshminë time për punën time si gazetar gjatë periudhës së luftës, e cila konsideroj se ka qenë një ndër periudhat më të rëndësishme të punës time profesionale. Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate…
Gjykatësi: Të lutëm, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.
Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësitë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pasë…
Gjykatësi: E keni thënë këtë….dëshmitar…dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani…
Nuhi Bytyqi: Duke përcjellur si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt
Gjykatësi: Dëëshmitar, dëshmitar, jau fika edhe njëherë mikrofonin. Dëshmitar, në qoftë se nuk do dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerr nga salla.