Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar të premten lidhur me Draft-kodin e Sjelljes së Deputetëve, duke theksuar se ky draft është në kundërshtim me kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike. Draft Kodi aktual, sipas IKD-së, përmban disa çështje të cilat minojnë efektivitetin dhe përafrimin e Kuvendit me standardet e parlamenteve demokratike.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, sipas IKD-së, i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e Kodit të Sjelljes për Deputetët. Ky Kod synon të vendosë parime, të përcaktojë sjelljet e papranueshme, të përshkruajë masat ndëshkuese dhe të formojë një Këshill të Etikës për zbatimin e këtij kodi.
“Edhe pse pati kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj, për ta hartuar një kod në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet nderkombetare, Komisioni për Legjislacion nuk arriti të hartojë dhe të dërgojë në seancë plenare një draft të Kodit të Sjelljes në pajtim me këto dokumente”, konsideron IKD.
Për këto arsye, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon nga kryetari i Kuvendit dhe deputetët që një kod të tillë ta tërheqin nga miratimi prej seancës së ardhshme plenare, t’i bëjnë ndryshimet në përputhje me komentet e IKD-së dhe më pastaj ta sjellin për miratim.