Blair teksa ka përmendur mundësinë që Kosova të jetë pjesë e BE-së, pranimin ndërkombëtar dhe të ardhmen që mund ta ndërtojë rinia të cilën e cilësoi si të talentuar, tha se ky është borxhi për ata që dhanë për çlirimin e vendit.
“Është ajo për të cilën ne bashkuam forcat për të arritur, para 25 vitesh. Po, ishte luftë për liri, por jo thjeshtë vetëm për të qenë të lirë, por për shkak se liria hap mendjen njerëzore. Kjo rrezikohej në këtë tokë dhe në këto rrugë para një çerek shekulli. Ne i dhamë fund ankthit të atëhershëm, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr; këtë ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot”, ka thënë ai.
Blair ka thënë se çlirimi i Kosovës është bërë për të gjithë që besojnë në fuqinë e lirisë dhe drejtësisë.
“Për mua lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë, duke përfshirë edhe vendin tim që ka besuar se liria dhe drejtësia janë gjërat për të cilat qëndrojmë, dhe më e rëndësishmja luftojmë për to”, ka thënë ai.Ai ka përmendur edhe Ukrainën dhe Gazën, të cilën po kalojnë nëpër situatën e njëjtë të luftës si Kosova dikur.