Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim ish-Batalionin e V-të Gardist të Zonës Operative të Llapit, duke i ndarë mirënjohje. Ky batalion vizitojë komunën e Prishtinës me rastin e aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të ditës së çlirimit të kryeqytetit.
Kryetari Rama e ka vlerësuar lartë kontributin e këtij batalioni dhënë gjatë luftës çlirimtare.
“Kur keni dalë, keni dalë mos me u kthy është fat që jeni këtu për disa ka mbet ende trauma disa nuk janë kthy sot ua bëjmë respektin edhe atyre që sot nuk i kemi këtu, por ata jetojnë në zemrat tona sa do jemi gjallë. Kem qenë të okupuar dikush tjetër na ka tregu çka jemi dhe ku po shkojnë sot jo”, ka theksuar Rama.
Ndërsa, ish-udhëheqësi i batalionit në rajonin e Llapit, Ajet Potera, ka thënë se fati ka ra që bashkë me shokët e tij të jenë të pranishëm sot, duke shtuar se datat në Ditën e Çlirimit i nderojnë gjithmonë.
“Datat si thyerja e kufirit, dalja e UÇK-së, na nderojnë ndihemi të lumtur, shpresojmë në të ardhme të gjithë ata që kanë kontribuar ta gëzojmë lirinë ashtu siç duhet”, tha Potera.
Për shënimin e ditës së çlirimit të kryeqytetit, janë paraparë edhe disa aktivitete tjera dhe një seancë solemne e kuvendit komunal.