Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Elvir Azizi, nënshkruan marrëveshje (kontratë) për shfrytëzimin afatgjatë të objektit që është i dedikuar për Poliklinikë Specialistike.
Ky objekt, që është pronë e Komunës së Podujevës, në bazë të kësaj kontrate i jepet SHSKUK-së në shfrytëzim afatgjatë pa pagesë. Ndërkohë, SHSKUK-ja do të bëjë rekrutimin e infermierëve dhe blerjen e disa pajisjeve të nevojshme, për të cilat tashmë i kanë nisur procedurat e prokurimit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes-kontratës, Kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur që qytetarëve të Podujevës shumë shpejt do t’u ofrohen shërbime specialistike në komunën e tyre, për të cilat deri tash janë detyruar të udhëtojnë në Prishtinë.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe Ministri për Shëndetësi, Arben Vitia dhe Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Podujevës, Adelina Stublla.