25 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj caçeve serbe u bë për ndaljen e fushatës për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të serbe e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile.
Mbi 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e serbe e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.