Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla njoftoi se sot (e mërkurë) ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.
Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale Facebook, se në pikat e kalimit kufitarë në Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.
“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndërsa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, shkruan Balla në Facebook.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.
Marrëveshja parashikon ekzistencën e një entiteti territorial-administrativ, 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës, ku shtetasit në të dyja anët do të përfitojnë shërbime të njëjta si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas të të dyja vendeve.