Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pa sakrificën e njerëzve të vendit, Kosova s’do ta gëzonte lirinë që e ka.
Në seancën solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit, Krasniqi s’ka lënë pa përmendur figurat e UÇK-së, të cilat po mbahen në gjykim në Hagë, duke ia uruar 25-vjetorin e çlirimit. Ai i ka cilësuar si heronj të luftës e të paqes.
“Është e paktë të thuhet ajo që dihet se pa sakrificën e tyre asnjë nga ne s’do të ishim këtu, e as Kosova s’do të ishte e lirë. Të nderuar veteranë e invalidë të UÇK-së faleminderit që pa menduat dy herë vutë jetët tuaja në rrezik për një Kosovë pa robëri dhe një qiell pa re, duke i kthyer kufinjtë e ëndrrave të fëmijëve tanë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka vazhduar të falënderoj personalitete të ndryshme që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Lufta e tyre nuk u ndal kurrë. Sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende. Ata janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti”, ka thënë ai.