Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka shkruar lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, në 25-vjetorin e çlirimit.
Ambasadori Malaj në një postim në Facebook ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët.
“Kryeministri Edi Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe u nderua me çelësin e qytetit të Prishtinës nga Kryetari i Komunës, Përparim Rama. Ky akt simbolik përforcon më tej lidhjen e veçantë dhe të pandashme mes nesh, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët tanë. Faleminderit të gjithëve për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin në avancimin e interesave tona të përbashkëta. Urime për këtë 25 vjetor të rëndësishëm Kosovë”, ka shkruar Malaj.
Gjithashtu ambasadori Malaj e ka uruar Kosovën për Ditën e Çlirimit të Kosovës.
“Nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit. Le të ndërtojmë të gjithë sëbashku një të ardhme të ndritur dhe të paqshme!”, ka theksuar ai.