Në Mynih, 99 furnizues nga Ballkani Perëndimor, përfshirë dhe kompanitë Automatics-KS, Hymeri Metals, Rronifer dhe K-AKS nga Kosova, po marrin pjesë në takime B2B me 20 kompani gjermane për të forcuar bashkëpunimin dhe për të rritur praninë e tyre në zinxhirët e furnizimit gjermanë.
Bëhet e ditur se Nora Hasani, Drejtore Ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), theksoi progresin e vazhdueshëm të Iniciativës që nga nisja e saj në vitin 2014, si pjesë e procesit të Berlinit.
“Kjo konferencë me karakter B2B ka dhënë kontribut të madh në krijimin e strukturave të furnizimit në rajon, dhe ka ndihmuar shumë kompani pjesëmarrëse nga Kosova që bëhen furnizues të kompanive blerëse gjermane,” tha Hasani, njofton OEGJK.
Delegacioni Kosovar, u kryesua nga Besarta Hyseni, Udhëheqëse e Departamentit për Hyrje në Treg në OEGJK. Që nga viti 2014 deri më sot, në kuadër të konferencës janë mbajtur mbi 5 000 takime B2B ndërmjet kompanive gjermane dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.
“Afërsia gjeografike me BE, fleksibiliteti që ofron për kompanitë blerëse gjermane në porositë, qofshin ato në seri të vogla apo porositë ad hoc, si faktorë kyç shtojnë interesimin për furnizuesit në Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu, në këtë komunikatë, bëhet e ditur se megjithatë, pritet të ketë sfida, për të cilat kompanitë duhet të përgatiten: BE kërkon që kompanitë të përshtaten me rregullat dhe standardet e reja, që ndërlidhen me standardet e ESG (mjedisi, shoqëria dhe qeverisja) dhe me zbatimin e Rregullores së BE – CBAM (Carbon Border Adjustment Mechanism). Këtu parashihet taksa për emetimet e karbonit, dhe importuesit e BE-së do të duhet të llogarisin taksën për emetimet e karbonit të furnizuesve të tyre në çdo tremujor.