Kosova është bërë zyrtarisht pjesë koalicionit të deminimit për Ukrainën, duke u bërë shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e dominimit.
Kjo pasi në Bruksel, ministri Maqedonci ka nënshkruar marrëveshjen me ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas.
“Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale. Sot në Bruksel me ministrin e Mbrojtjes së Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas së cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e koalicionit të deminimit për Ukrainën, duke u bërë kësisoj shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që e kemi dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarrë nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake”, ka shkruar Maqedonci.
Maqedonci ka thënë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës
“Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka shkruar ai.