Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çlirimi dhe sakrifica e shumë gjeneratave për Pavarësinë e Kosovës ia ka vlejtur, duke thënë se vendi tani është më i zhvilluar se kurdoherë më parë.
Kryministri Albin Kurti në fjalën hyrse në mbledhjen e qeverisë, ka thënë se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet e shteti po bëhet më i zhvilluar.
“Ekonomia e vendit tonë sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më shumë se në vitin 2000. Pas më pak se 25 vjetëve, ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë. Krahasuar me vitin që u shpall Pavarësia, bruto produktin vendor do ta kemi gati tre herë më të madh. Krahasuar me katër vjet më herët, e kemi sivjet 50 për qind më të lartë bruto produktin vendor. Qytetarët janë më të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë e qeverisja po bëhet përherë e më e mirë. Çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare ndër-gjenerata, Pavarësia, ia kanë vlejtur sot, si në aspektin e ekonomisë, ashtu edhe demokracisë. Puna jonë vazhdon”, ka deklaruar kryeministri i vendit.
I pari i ekzekutivit ka shprehur mirënjohje dhe nderime për të gjithë ata që sakrifikuan për liri. Ai falënderoi institucionet që u morën me organizimin e përvjetorit jubilar të Ditës së Çlirimit.