Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu prezantoi draftin e strategjisë për drejtësi tranzicionale, e cila në fokus ka trajtimin e viktimave dhe traumave të luftës.
Ajo ka thënë se ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë i ka munguar një vizion strategjik.
“Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale i ka munguar një vizion strategjik, pra përfshirja e mirëfilltë e kategorive të viktimave si dhe qëndrueshmëria institucional. Kemi hartuar këtë dokument strategjik jashtëzakonisht të rëndësishëm për adresimin e krimeve të luftës, duke krijuar kështu hapësirë për të vendosur fakte për të kaluarën, duke siguruar kompensim për padrejtësitë, traumat e lidhura me luftën, mbrojtjen e kujtesës individuale dhe po ashtu kolektive” tha Haxhiu.
Ajo shtoi se është duke u krijuar korniza për trajtimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Me këtë po krijojmë një kornizë për trajtimin e shkeljeve masive të drejtave të njeriut prej krimeve të luftës. Strategjia brenda vetes ka për qëllim të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë” shtoi ministrja.
ky propozim i Haxhiut u miratua nga qeveria, me asnjë votë kundër.