Murati për deklaratën e Hillit: Normalizimi dhe njohja e ndërsjellë, dy synimet tona në dialog

“Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pasi evropianët po kërkojnë vetëm normalizim”.

Kësaj deklarate të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill iu është përgjigjur ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë duke thënë se Kosova përmes dialogut në Bruksel synon normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje të ndërsjellë.

“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne jemi duke vazhduar punën vazhdojmë punën. P.sh sot kishim miratimin e nismës për negocimin dhe ndryshimin e statusit të vendit tonë në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë, së fundmi patëm vlerësimin kreditor sovran, e para në histori të vendit, këto pra shërbejnë për përforcimin e subjektivitetit të vendit”, ka deklaruar Murati.

Sot, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.