Është publikuar përgjimi i dytë ku dëgjohet Bedri Shabani, i arrestuari për spiunazh, teksa flet me oficerin e BIA-s, Srgjan Rosiq, bisedë kjo që konfirmon se ata janë takuar edhe fizikisht pak ditë më parë.
Sipas të dhënave, takimi fizik i përbashkët në mes të Shabanit dhe oficerit të BIA-s është realizuar në qytetin e Nishit, Serbi, më 17.05.2023, shkruan The Geopost.
Sipas telefonatës, e realizuar më 23.05.2023, mësohet se Rosiq, ka lidhje profesionale me “mikun tjetër”, Bogoljub Janiçijeviq-in, i cili ka qenë shefi i të ashtuquajturit “Sekretariatit të Punëve të Brendshme” për Ferizaj në vitin 1999.
Gjatë bisedës, merret vesh, se ditën e takimit me BIA-n në Nish, Shabani ia kishte dhënë tri tekste. Audio është e censuruar dhe nuk dihet se çfarë tekstesh janë ato! Për këtë, Shabani e kishte pyetur “nëse kishte pasur rastin t’i shihte më parë?”, kurse Rosiq i përgjigjet me “jo”.