Kualifikoi i pari Shqipërinë në një fazë finale të Evropianit dhe tani flet me krenari.
“Jam krenar pasi kam dhënë edhe unë një kontribut për të bërë Shqipërinë atë që është sot. Në Dortmund do të ndjek ndeshjen si i ftuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, por nuk harroj rrënjët e mia dhe do të bëj tifo për Italinë”, tregon De Biazi në një intervistë për “Repubblica”.
“Shqipëria më ndryshoi jetën”, tregon 67-vjeçari, i cili pranon se kur mori drejtimin e kuqezinjve gjeti një ekip në vitin zero.
Sa i përket çelësit të suksesit, trajneri italian shpjegoi se: “Shqipëria nuk kishte shumë lojtarë të talentuar, por lojtarë me dëshirë të madhe për të përfaqësuar kombin e vet. U rritëm duke u bazuar mbi personalitetin, organizimin dhe vetëbesimin”.
Sa i përket fazës finale të “Francë 2016”, trajneri nga Veneto mburret duke thënë se ekipi i drejtuar prej tij mori tri pikë.
“Në fazën eliminatore mendoj se ndeshja kyçe ishte ajo kundër Portugalisë, lojtarët ndiheshin si heronj pasi e mundën. Më pas morëm edhe dy barazime kundër Danimarkës. Në Europian dolëm me tri pikë nga grupi ku ishim së bashku me ekipe si Franca, Zvicra dhe Rumania”, thekson trajneri.
I pyetur nëse mund të kishte këshilla për Italinë, De Biasi tregon: “Ndeshjet e para janë gjithmonë delikate. Italia ka gjithçka për të humbur ndërsa rivalët do të jenë të motivuar. Për Shqipërinë është diçka e madhe fakti se merr pjesë në Evropian, por mendoj se ‘shqiponjat’ do të jenë një problem edhe për Kroacinë dhe Spanjën”.