Ylli i Kosovës Vedat Muriqi është rikthyer si hero nga lëndimi, për t’ia fituar pikët e plota Mallorcas kundër Rayo Vallecanos.
Sulmuesi shtatgjatë që i mungoi Kosovës në dy ndeshjet e tetorit, e bëri dallimin në fitoren 1:0 të Mallorcas si nikoqir i Vallecanos.
Sfida ishte shumë e barabartë nga fillimi, me të dy skuadrat që kishin disa raste shënimi por që deri vonë s’i finalizuan.
Ishte Vedat Muriqi që realizoi golin e vetëm në takim, i cili rezultoi të ketë vlerën e tre pikëve.
Muriqi shënoi për mrekulli me kokë pas një harkimi të Rodriguez nga këndi, duke mos i dhënë as edhe një shans portierit mysafir (75’).
Ai pastaj u zëvendësua në minutën e 84-të, por është normale shkaku që ishte ndeshja e parë pas një muaji jashtë fushës shkaku i lëndimit.
Me këtë fitore, Mallorca tani ngjitët në pozitën e pestë në La Liga me 17 pikë, kurse Vallecano qëndron në vendin e nëntë me 13 sosh.