“Topi te Presidentja”/ Cilat janë afatet për konstituimin e Kuvendit, Jakaj e shpjegon në detaje

Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka bërë që analistë dhe njohës të çështjeve politike të parashikojnë krizë dhe zvarritje në formimin e institucioneve të reja.

Formimit të qeverisë së re, duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Por, cilat janë procedurat që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit dhe cilat janë afatet?

Naim Jakaj nga IKD ka thënë për IndeksOnline se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, Presidentja e thërret seancën konstituive e cila duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.

Në rast se ajo nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, në mungesë të saj, Kuvendi mblidhet vetë. Sipas Rregullores së Kuvendit, në këtë rast, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë. Kryetari i legjislaturës së mëparshme, jo më vonë se pesë (5) ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, e thërret mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike, që kanë fituar vende në Kuvend, për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallën e seancave plenare. Në rast se mbledhja nuk thirret nga Kryetari paraprak, brenda afatit pesë (5) ditorë, Kuvendi mblidhet vetë, në ditën e caktuar nga Presidenti. Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu. Në mungesë ose refuzimit të tyre, detyra i kalon deputetëve tjerë sipas të njëjtave kritere. Gjatë kësaj seance nuk zhvillohet debat”, ka thënë Jakaj.