Fyerjet dhe provokimet nga kompania “Besart Lines 13” dyshohet të kenë qenë shkaku i përleshjes mes transportuesve ndërurbanë dhe atyre llapjanë në Prishtinë.
Sipas burimeve të IndeksOnline, pronari i kompanisë “Besart Lines 13”, e cila javën e kaluar ka nisur linjat drejt Sharbanit, ka provokuar dhe fyer transportuesit nga Podujeva.
Ardit Asllani, Besart Asllani dhe Endrit Asllani dyshohet se kanë përdorur gjuhë fyese ndaj transportuesve llapjanë, çka më pas ka çuar në një përleshje fizike.
Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku raportohet se si pasojë e rrahjes janë lënduar pesë persona, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.Po ashtu, policia ka shoqëruar në stacionin policor pesë persona të dyshuar, të përfshirë në rast.
Aktualisht, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata