Nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet, por arriti të marrë mbi 92 pikë në testin me shkrim dhe intervistën për pozitën e drejtorit në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QSKUK).
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta është zgjedhur kandidati fitues në konkursin për pozitën e Drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QSKUK).
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Shkreta ka grumbulluar gjithsej 92.5 pikë nga testi me shkrim dhe intervista në këtë konkurs.Ish-deputeti Shkreta është i vetmi kandidat që ishte intervistuar për këtë pozitë, pasi vetëm ai kishte kaluar testin me shkrim.
Në listën e kandidatëve që kishin plotësuar kriteret fillestare për Drejtor të QSKUK-së ishin edhe: Zana Sllamniku-Dalipi, Kastriot Meqa (i cili ka udhëhequr me QSKUK-në si Drejtor), Aida Namani-Rexhepi dhe Shqiprim Bajrami.
“Tani jam duke hyrë në klinikë. M’i dërgo pyetjet me shkrim, çka do që të keni, për dy orë ju përgjigjem” – tha shkurtimisht Shkreta për KALLXO.com
KALLXO.com i ka dërgues pyetjet me shkrim Shkretës dhe është në pritje të përgjigjeve.
Shkreta ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai kandidoi për Deputet edhe në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por ndonëse i mori mbi 10,000 vota, ato ishin të pamjaftueshme për t’ia siguruar ulësen në Kuvend.
Shkreta ishte emëruar anëtar i Bordit të ShSKUK-së në vitin 2020 me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Asokohe, ai ishte këshilltar i ministrit Vitia.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, Shkreta kishte deklaruar se punon si profesor në një institucion privat dhe si mjek stomatolog/kirurg oral në dy institucione të tjera private.