Ditën e sotme nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri.
Në garë për këto zgjedhje do të jenë 11 subjekte në fletën e votimit, ku përfshihen parti dhe koalicione. Çdo forcë politike apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.
3,7 milionë shqiptarë me të drejtë
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të Shqipërisë të drejtën e votës për zgjedhjet e 11 majit 2025 e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë; 1,081 shtetas janë të papërfshirë për shkak të dekriminalizimit dhe 5.225 është numri i qendrave të votimit.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: zgjedhësit që jetojnë brenda vendit dhe zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
245.808 votues nga jashtëvendi në zgjedhjet e 11 majit
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, për herë të parë do të votojnë me anë të postës edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë pas ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi në Kodin Zgjedhor.
Për këtë arsye nga data 11 janar deri më 4 mars u zhvillua procesi i regjistrimit në sistemin PER të KQZ-së, ku 245.808 zgjedhësve u është miratuar kërkesa për të votuar.
KQZ-ja ka nisur zyrtarisht procesin edhe përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit.
Procesi po zhvillohet në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë dhe përfshin disa faza të rëndësishme logjistike dhe teknike.
Në fazën e parë, do kryhet vulosja e fletëve të votimit sipas qarqeve zgjedhore dhe vendosja e tyre në zarfin “A”, që përmban vetëm fletën e votimit.
Më tej, këto zarfe do të vendosen në zarfat e jashtëm të KQZ dhe në zarfin përfundimtar të operatorit të shërbimit postar që do t’i shpërndajë ato jashtë Shqipërisë.
Shpërndarja e fletëve, nuk do të bëhet përtej datës 3 maj. Procesi po monitorohet nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore, vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas si dhe përfaqësues të mediave.