Rudari, Fetahu e Bulliqi të gatshëm për zgjedhje në Podujevë, presin vetëm përmirësimin e gjendjes me Covid 19

Me përhapjen e virusit COVID 19 në vend, procesi zgjedhor i paraparë më 15 mars për kryetar të Podujevës u pamundësua.

Tashmë ka mbi dy muaj që për zgjedhjet në këtë komunë nuk është caktuar ndonjë datë e re, derisa ajo mbetet nën menaxhimin e nënkryetarit Nexhmi Rudari.

Megjithatë, kandidatët për kryetar të Podujevës janë të gatshëm të futen në garë zgjedhore.

Rudari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për “Gazeta Blic” se pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit, është i gatshëm për zgjedhje.

“Jam i gatshëm kurdoherë që vendoset. Për mua edhe atëherë kur u pezulluan zgjedhjet, edhe tash më e rëndësishme është jeta e qytetarëve se sa dita e votimit apo fushata. Për këtë çështje është IKSHPK-ja dhe MSH-ja që duhet ta studiojnë gjendjen nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, nëse ata vlerësojnë se janë plotësu kushtet, ne si LDK dhe unë si kandidat jam i gatshëm që nesër të dal në zgjedhje dhe me u kry ky proces”, tha ai.

Me të pajtohet edhe kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, i cili thotë se vetëm pas sigurisë së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet do  të mbahen.

“Ne e kemi vendosë shëndetin në rend të parë të komunës sonë dhe prej atëherë kemi lënë që në bazë të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik dhe organet kompetente të veprojmë. Kurdo që merret vendim për mbajtjen e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë”.