Bajrami: Rritja e numrit të popullsisë në tetë miliardë s’paraqet rrezik për botën

Numri i popullsisë së botës ka regjistruar rritje, duke kaluar tetë miliardëshin.

Disa shprehin shqetësime se globi është mbipopulluar dhe se burimet për t’i mbajtur jetët e tyre janë të pamjaftueshme.

Por, historiani kosovar, Hakif Bajrami konsideron se shkuarja e numrit të njerëzimit në tetë miliardë nuk paraqet aspak rrezik për botën.

Në një prononcim për KlanKosova.tv, ai thekson nëse investohet në fusha të duhura, bota do të jetë shumë më e lirë nga brengat.

“Unë si historian, tetë miliardëshin nuk e shoh si rrezik për botën. Përkundrazi, nëse investohet në arsim, shkencë dhe kulturë, bota do të jetë shumë më e lirë që mos të brengoset për ardhmërinë e saj. Kjo për faktin se duke investuar në dituri, duke e ruajtur planetin nga ndotjet e ndryshme, jeta do të bëhet më e gjatë, më e lirë dhe më e begatshme”, shprehet Bajrami.

Ai thotë se institucionet përkatëse në çdo cep të botës duhet të investojnë në shëndetin popullor dhe t’u kushtojnë më shumë vëmendje edhe vendeve të varfra.

“Kjo për faktin se ka tendenca që viset e varfra të botës të bëhen edhe më të varfra; viset e pasura dhe shtetet e fuqishme të tentojnë të bëhen edhe më të pasura dhe më të fuqishme, e kjo e zbulon imperativin që të kujdesemi dhe t’u kushtojmë rëndësi viseve të varfra e të prapambetura të botës që ato të prosperojnë në arsim, kulturë, shkencë e sidomos në shëndetësi”.

“Unë si historian, apeloj në përmasa botërore të investohet në arsimimin e popujve e jo në armatimin e ushtrive dhe sforcimin e luftërave lokale ku agjendat e ndryshme shesin armë të cilat pastaj rezultojnë në tragjedi të shumta. Këto janë porosi të rëndësishme drejtuar mendjeve të ndritura të botës, me dobi të njeriut dhe për njeriun”.

Sa i përket numrit të popullsisë në Kosovë, Bajrami shtron nevojën që të bëhet numrimi në mënyrë që të kuptohet realiteti dhe në përputhje me shifra të sakta të zhvillohen strategji për të ardhmen.

“Sa i takon rritjes së popullsisë shqiptare, në vitin e ardhshëm në Republikën e Kosovës do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe aty do të shihet realiteti se ku jemi dhe se çka synojmë. Në bazë të atyre rezultateve, demografët, sociologët, dhe filozofët e historisë duhet të ulen së bashku me pushtetarët dhe të bëjnë një strategji zhvillimore”, shton Bajrami.

Sipas historianit, duke u bazuar në rezultatet e regjistrimit të popullsisë nevojitet hartimi i një strategjie zhvillimore e cila fokusohet së paku deri në vitin 2050 dhe gjithnjë duke mos harruar investimet në arsim, shkencë, kulturë, ambient dhe shëndetësi.

15 nëntori i këtij viti është shpallur si “Dita e Tetë Miliardë Banorëve” nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.