Situata në Veri në sytë e EULEX-it

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se rreth 135 policë të EULEX-it kanë fillur të patrollojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë ‘KoSSev’ theksoi se është shtuar edhe numri i pjesëtarëve të EULEX-it në veri të vendit, të cilët po punojmë me ndërrime.

Ata nuk janë të angazhuar përnjëherë, por punojnë me turne, para së gjithash kryejnë patrullime mobile, dhe nga sot kemi filluar edhe të patrullojmë në këmbë në Mitrovicë dhe në vende të tjera, për të treguar se jemi të pranishëm atje”, shpjegoi ai.

“Stafi i mbetur në stacionet policore në të katër komunat po mundohen që me turne të zgjatura ta bëjë punën e tyre sa më mirë, por edhe të mbrojë vetë qytetarët”.

Duke kujtuar se tensionet në veri kanë qenë të dukshme që nga kriza me targat, ai vuri në pah frikën e qytetarëve lokalë por edhe mungesën e besimit reciprok.

Dëgjova komente dje në Mitrovicë se njerëzit nuk kanë besim, në të njëjtën kohë kanë frikë, sepse shohin që nuk ka polici lokale, shohin disa elementë të tjerë të institucioneve që nuk funksionojnë ashtu siç duhen të funksionojnë”.

Sa i përket pretendimeve të Listës Serbe për ta sabotuar sistemin institucional të Kosovë, Wigermark pati një mesazh për përfaqësuesit serbë që marrin urdhra nga Beogradi.

“Nuk mund të kesh një sistem tjetër, nuk mund të kesh një sistem paralel apo si të duash quajeni, edhe nëse herë pas here është realitet, sidomos në veri të Kosovës, por nuk është i qëndrueshëm. Nuk mund të kesh dy juridiksione të ndryshme në të njëjtin territor”, përfundoi ai.

Ndryshe, grupi paramilitar i quajtur “Brigada e Veriut”, ka filluar të shfaqet çdo ditë e më shumë më Veri të Mitrovicës.

Tashmë janë shpërndarë edhe grafitë e shkrime të ndryshme në pjesë të qytetit, duke kërkuar nga qytetarët rezistencë dhe duke i siguruara se ata janë në mbrojtje të tyre.

Frika është se situata mund të eskalojë në momentin kur policia e Kosovës në Veri do të fillojë me vendosjen e gjobave prej 150 euro për të gjithë ata shoferë që vozisin vetura me tabela ilegale.

Derisa pritet një zgjidhje në Bruksel për këtë çështje, politikanë në radikalë në Serbi po kërkojnë që serbët e Kosovës të mos kthehen më fare në institucione dhe të mos u binden organeve të Kosovës, por të formojnë një strukturë krejtësisht paralele.

“Nuk është një situatë e qëndrueshme afatgjatë dhe të gjithë po përpiqen të bëjnë më të mirën, prandaj mendoj se vetë qytetarët dhe komuniteti lokal po pyesin se çfarë do të ndodhë më pas. Madje, disa njerëz me të cilët fola kanë frikë se çfarë mund të ndodhë, veçanërisht në lidhje me sjelljen e policisë nga rajone të tjera, se mund të ketë tensione edhe më të mëdha, madje edhe konflikte nëse kjo ndodh. EULEX-i është i pranishëm kryesisht në kapacitetin e tij parandalues. Nuk jemi aty për të marrë detyrat e Policisë së Kosovës. Ne punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës, koordinohemi edhe me ta, koordinohemi edhe me NATO-n dhe KFOR-in. Rreth një javë më parë, Policia e Kosovës kërkoi nga ne që të rrisim monitorimin e situatës, gjë që e bëmë. Kemi shtuar edhe numrin e njësive tona. Por në planin afatgjatë ne nuk mund ta marrim dhe zëvendësojmë Policinë e Kosovës.

Kreu i EULEX-it shpreson në bisedimet e vazhdueshme të ndërmjetësve evropianë me lidershipin kosovar dhe atë të Serbisë.

Wigermark konfirmoi se përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Joseph Borrell dhe i dërguari për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak po punojnë fort për një zgjidhje që do të de-përshkallëzonte situatën në veri para 21 nëntorit.

“Shpresoj për një vendim më shpejt se sa më vonë, sigurisht sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që 21 nëntori është një nga afatet”, tha ai.

“Kur besimi prishet, ai tashmë është një recetë për konflikt,” paralajmëroi ai, duke shtuar se BE dhe të gjithë ata që mbështesin dialogun do të donin të shihnin paqe.

Nga ana tjetër, ai vlerësoi gjithashtu se fotografia në Veri nuk është “plotësisht e zezë”, dhe se shumica janë ata që duan të shmangin konfliktin. Këtë e mbështet edhe fakti se ka institucione që punonjësit nuk janë larguar dhe që janë shumë të rëndësishme për sigurinë e qytetarëve.

“Për shembull, qendra e paraburgimit në Mitrovicë është ende duke funksionuar, njerëzit punojnë pa dallim kombësie, pastaj zjarrfikësja në Mitrovicë dhe vende të tjera, nuk janë prekur nga bojkoti dhe tërheqja dhe mendoj se kështu do të mbetet”. Pra, nuk është një pamje krejtësisht e errët dhe dua të theksoj se ka ende një shumicë të atyre që nuk duan që situata të përshkallëzohet dhe të ndodhë një konflikt fizik”, thotë Wigemark.

Ai i tha Listës Serbe se është e rëndësishme të ruhet paqja në terren, por ky është një mesazh që, siç thekson ai, ua përcjell të gjitha palëve.

“Mesazhi im kryesor jo vetëm për Listën Serbe, por edhe për mbarë Kosovën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, është që të gjithë të qëndrojnë të qetë dhe të mos kontribuojnë në tensione në asnjë mënyrë, të shmangin çdo lloj retorike nxitëse. , qoftë nga liderët politikë apo nga rrjetet sociale dhe të shprehen ndryshe. Kjo është një situatë e ndjeshme, tensionet janë të larta dhe mendoj se të gjithë duhet të bëjmë çmos për t’i ulur ato tensione”.

“Nuk mund të kesh një sistem tjetër, nuk mund të kesh një sistem paralel apo si të duash ta quash, edhe nëse herë pas here është realitet, sidomos në veri të Kosovës, por nuk është i qëndrueshëm në afat të gjatë. Nuk mund të kesh dy sisteme juridike të juridiksioneve të ndryshme në të njëjtin territor”, theksoi Wigemark.