Kongresmeni Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kongresmeni Ritchie Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Torres përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e SHBA-ve në Kosovë.

“Kongresmeni Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e SHBA-ve në Kosovë”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu theksoi se me Torres patën një diskutim të hapur e shumë përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon.

“Në Kongres u prita nga Kongresmeni demokrat Ritchie Torres, njëkohësisht bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan. Patëm një diskutim të hapur e shumë përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon. Biseduam dhe për aspiratat e popullit të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së SHBA-ve në këtë rrugëtim. Si njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe nevojave të Republikës sonë, Kongresmeni Torres ofroi mbështetje të parezervë. E falënderova për gjithë kontributin e dhënë në Kongres. Në veçanti, populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për angazhimin e pandalshëm të tij drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe nevojës për vënie të drejtësisë nga lufta e fundit në vend.

Ndryshe, Abdixhiku ka zhvilluar një sërë takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). /Telegrafi/