Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se përqëndrimi tek çështje teknike apo me rëndësisë më të vogël, përballë nevojës për një marrëveshje me Serbine, nuk është në favor të interesave të vendit dhe atyre euro-atlantike.
Abdixhiku i bëri komentet ndërsa ndodhet për një vizitë në SHBA. Ai tha se vendi ka nevojë të bëjë përpara sëbashku me aleatët e vet, me synim arritjen e një marrëveshjeje finale që ka në thelb të saj njohjen reciproke.
“Besojmë se janë dy çështje që Kosova duhet t’i ketë parasysh dhe ajo më e rëndësishmja ka të bëjë me stabilitetin brenda territorit të vet, pra brenda Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij është esenciale që në kohë të zhvillimeve të ndryshme të sigurisë në kontinent, Kosova të mos bëhet vatër e provokimeve të Serbisë që më pas do të prodhonin situata të paparashikueshme, por që në këtë fazë për Kosovën është e rëndësishme që të ketë koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë evropianë.
“Prandaj, besoj që çdo vonesë në këtë koordinim të ngushtë lë hapësirë edhe për destabilizim të vendit edhe për situata të paparashikueshme, por mbi të gjitha lë gjurmë të pariparueshme të marrëdhënieve që Kosova do t’i ketë me aleatët e vet. Çështja e dytë që Kosova duhet ta ketë parasysh ka të bëjë me shmangien e “status quo-së” në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në dialog. Çdo vonesë e Kosovës, pra çdo marrje me çështje teknike me çështje të rëndësisë më të vogël, nuk është në favor të Republikës së Kosovës dhe interesave tona euro-atlantike. Ne kemi nevojë për përkushtim në dialog, kemi nevojë për guxim politik, për ecje të përbashkët me aleatët tanë dhe për kërkimin e marrëveshjes finale që ka njohjen reciproke në thelb të saj”, tha ai.