Numri i rasteve të dhunimeve që po denoncohen në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat e gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpeshherë të dyshuar janë edhe ata me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i trishtë që dyshohet se ka ndodhur mbrëmë në Sojevë të Ferizajt dhe viktimë kësaj radhe ishte një vajzë 12-vjeçare, e cila fillimisht u raportua e zhdukur nga nëna e saj, në orët e mbrëmjes të së dielës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e mitura kishte dalë nga shtëpia dhe familja e saj nuk kishte asnjë informacion për fatin e saj. Kjo situatë e alarmoi nënën e 12-vjeçares, e cila ia mësyu Policisë dhe kërkoi ndihmë. Njësitë policorë u aktivizuan dhe në bazë të lokacionit e kuptuan se vajza ndodhej në shtëpinë e një 19-vjeçari.
I dyshuari sipas informacioneve të para e kishte marrë vajzën me të cilën paraprakisht kishin komunikuar, duke lënë edhe takim dhe të njëjtën e kishte dërguar në shtëpinë e tij. Gjithçka u zbulua pasi vajza u gjet në atë shtëpi, ku kishte qëndruar për orë të tëra me 19-vjeçarin dhe ku dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale.
E mitura ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë, nën praninë e nënës së saj dhe ka rrëfyer detajet dhe krejt çka ndodhi në shtëpinë e personit me të cilin Policia e gjeti. Në anën tjetër, edhe i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Derisa e mitura është dërguar për ekzaminime gjinekologjike, rezultate e të cilave do të shfrytëzohen si provë në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të personit të dyshuar dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit