Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tash deputet i Kuvendit, ka kritikuar uljen e pagave për zyrtarët në sistemin e drejtësisë.
Hoti deklaroi se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të preken, duke shtuar se vendimi i Qeverisë është joligjor.
Ai tha se në “kohë krize pagat duhet të rriten e jo të ulen”.
“Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor.”
Ai rekomandoi që deri në miratimin e ligjit të pagave, pagat duhet të rriten së paku sa norma e inflacionit për arsim, shëndetësi, administratë, polici, FSK e sektorë të tjerë që janë me paga të ulta.
“Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit pët arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sot, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që t’u zvogëlohen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi të njëjtat ishin rritur me një vendim të vitit 2017 të marrë nga Qeveria e atëhershme Haradinaj.